Reshje të dendura bore në Llogora, Allushi: Dy borëpastruese në terren

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë ditën e sotme në Llogora kanë sjellë edhe bllokimin e rrugës në një pjesë të aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.
Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi tha sot për ATSH-në se “drejtuesit e mjeteve këshillohen të kalojnë nga tuneli i Llogorasë për shkak të reshjeve me intensitet. Në terren ndodhen dy mjete borëpastruese, të cilat po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen hapur të aksit rrugor”.
Sipas saj, në rrugë po hidhet edhe kripë për të krijuar parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes.
Allushi vuri në dukje se po monitoron trafikun në këtë aks rrugor për të shmangur aksidentet e mundshme si dhe duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullim e të përdorin mjetet e nevojshme.
Prania e borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë e bën edhe më tërheqës këtë mjedis pyjor malor.
1 nga 3/k.s/r.e/a.f/