E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, bllokohen disa segmente rrugore në qarkun Gjirokastër, mungesë energjie në Kurvelesh dhe Lazarat

Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet deri në mesatar, disa segmente rrugore në qarkun Gjirokastër kanë mbetur të bllokuara, ndërsa strukturat vendore vijojnë punën për normalizimin e situatës.

Problematikat kryesore janë evidentuar në bashkitë Libohovë dhe Gjirokastër, ku po vazhdojnë punimet për hapjen e rrugëve të dëmtuara nga reshjet.

Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha rrugët kombëtare janë të qarkullueshme dhe nuk paraqesin rrezik për lëvizjen e mjeteve.

Ndërkohë, raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, si dhe në një pjesë të fshatit Lazarat, njësia administrative Lazarat, bashkia Gjirokastër. Ekipet përkatëse janë në terren për rikthimin e furnizimit.

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon të jetë i pandërprerë në të gjithë qarkun. Prefektura bën me dije se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›