Rezerva ushqimore dhe uji për të paktën 72 orë! Kanadaja u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për emergjenca

Autoritetet kanadeze u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë në banesat e tyre rezerva ushqimore, ujë dhe pajisje të nevojshme për të përballuar situata emergjente për të paktën 72 orë.
Rekomandimi është bërë nga Agjencia Kanadeze për Sigurinë Publike, e cila këshillon familjet të jenë të përgatitura për ndërprerje të mundshme të shërbimeve jetike, si furnizimi me energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm.
Megjithatë, zyrtarët kanë sqaruar se kjo nuk është një masë e re apo një udhëzim i nxjerrë së fundmi, por një rekomandim që është në fuqi prej shumë vitesh.
Kujtesa e autoriteteve kanadeze vjen në një kohë kur fushata të ngjashme për përgatitjen ndaj emergjencave janë zhvilluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të BE. Këto nisma kanë nxitur diskutime në internet dhe spekulime mbi arsyet e këtyre paralajmërimeve. Zyrtarët kanadezë, megjithatë, theksojnë se bëhet fjalë për një masë të zakonshme parapërgatitore, që synon të rrisë sigurinë dhe vetëmbështetjen e familjeve në rast situatash të paparashikuara.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb