E Martë, 3 Nëntor 2026

Rezultati i zgjedhjeve/ PS në majë, PD në gjunjë. Lapaj Shabani, partia e tretë me vota, por PSD e Mundësia kanë më shumë mandate

Socialistët arritën të siguronin një fitore historike më 11 maj, ndërsa demokratët pësuan disfatën më të madhe të dy dekadave të fundit. Në rang kombëtar, dy partitë e mëdha u ndanë me një diferencë të thellë votash, edhe pse ende nuk janë numëruar të gjitha votat e diasporës.

Partia e Edi Ramës mori mbështetjen e mbi 750 mijë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, ndërsa partia e Sali Berishës 500 mijë. E treta më e votuar doli Partia Socialdemokrate e Tom Doshit me rreth 48 mijë vota, e ndjekur nga Mundësia me 46 mijë vota, Lëvizja Bashkë me 22 mijë dhe Nisma “Shqipëria Bëhet” me 56 mijë vota. Por ndërkohë mbeten ende pa u numëruar gati 100 mijë vota nga diaspora, të cilat mund të ndryshojnë ende raportet e forcave në Kuvend, kryesisht në kurriz të aleancës “Madhështore”.

Socialistët siguruan një shumicë historike prej 83 ulësesh në Kuvendin e ri dhe janë në pritje të së paku një mandati nga diaspora, që do t’i jepte Edi Ramës shumicën cilësuese, duke i bërë të panevojshëm “madhështorët” dhe 50 mandatet e tyre në Kuvend, për çdo reformë. Pikërisht shifra 50, por edhe përqindja kombëtare, 34 për qind, janë numrat e një humbjeje historike të Partisë Demokratike, ndërsa pas këtyre zgjedhjeve, Partia e Lirisë zhduket nga harta elektorale. Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ruajti të njëjtat pozita si katër vite më parë, me tre mandate në rang kombëtar.

Por partia e tretë në vend është “Shqipëria Bëhet” e dyshes Lapaj–Shabani, e cila, ndonëse deri tani ka nxjerrë vetëm një deputet, me numër votash po i afrohet shifrës 60 mijë. Ajo ndiqet nga Mundësia, e cila, ashtu si PSD, falë llogarive territoriale, rezulton deri tani me dy mandate. Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit mban në fije të perit një mandat në Tiranë, por edhe nëse hyn në Kuvend, Qori vetë mbetet jashtë.

Por është Fieri, jo vetëm kryeqyteti i socialistëve, por edhe qendra e “tërmetit” që shkërmoi ndërtesën elektorale të demokratëve. Fitorja e socialistëve atje u ka lënë demokratëve vetëm katër mandate, duke u hequr edhe dy deputetë nga e ashtuquajtura listë e mbyllur dhe e sigurt. Por ankthi i Gazmend Bardhit nuk ka mbaruar akoma. Reagimi i tij i të martës në mbrëmje, që ndryshe nga Berisha pranonte humbjen e zgjedhjeve, reflektoi frikën se me votat e emigrantëve, “madhështorët” mund të humbasin një tjetër mandat, duke futur në Kuvend vetëm tre deputetë.

Diferenca e madhe, rreth 60 mijë vota më shumë se Partia Demokratike, humbja e shumë votave në Lushnje si dhe fakti që votat e Greqisë i përkasin më shumë qarkut të Fierit, rrezikojnë sërish karrigen e deputetit lushnjar Saimir Korreshi, i cili, së bashku me batutat e tij gazmore, është më shumë larg se afër Parlamentit të ri. Falë diasporës, socialistët morën ndërkohë një mandat më shumë në Vlorë, duke çuar rezultatin në 9 me 3.

Sa i përket Tiranës, e goditur nga arrestimi i Erion Veliajt në shkurt, socialistët morën shumicën e mandateve, bile një mandat më shumë se katër vjet më parë. Ndonëse të favorizuar nga sistemi, pasi Tirana u kthye në një numër mandatesh tek, socialistët thelluan diferencën në vota, duke e kthyer mandatin e 19-të në një formalitet. Ndërsa presin të qetë numërimin e votave nga diaspora, në këtë rast mandati i 20-të nuk do të ishte më një fitore e qarkut, por një triumf politik. Ky mandat do t’i jepte Edi Ramës shumicën e cilësuar në Kuvend prej 84 mandatesh dhe vulën personale të fitores mbi ish-bashkinë që ai e drejtoi për tre mandate si kryetar bashkie./abcnews.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›