E Hënë, 2 Nëntor 2026

Riaktivizohet vatra e zjarrit mbi Dukat, Dredha: Jemi në monitorim, 60 forca në terren

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në majën e Paliskës, e cila lidhet me zonën e mbrojtur të Llogorasë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, pas riaktivizmit të tij mbrëmjen e djeshme.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha në një prononcim për mediet se “Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion dy helikopterë për të shmangur sa të mundemi përhapjen e zjarrit  në pjesën e pyjeve”.

“Zjarri është ende në monitorim shpresojmë të mos kemi probleme. Janë angazhuar gjithsej 60 forca për shuarjen e zjarrit, 36 nga të cilat janë nga ushtria. Zona ku ka rënë zjarri është terren i pamundur të menaxhohet nga forca njerëzore, pasi ka reliev të thyer”, tha Dredha.

Kryebashkiaku Dredha u shpreh se “përgjatë gjithë këtyre ditëve, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi pranë çdo vatre zjarri, me të gjitha ekipet mbështetëse, për të stabilizuar dhe monitoruar në çdo kohë situatën”.

AKMC bëri të ditur sot se në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe reth 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›