E Diel, 1 Nëntor 2026

Rijetësim i qendrës historike të Pogradecit

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Rehabilitimi dhe rijetësimi i qendrës historike të Pogradecit do të jetë një mundësi e shtuar për qytetin, duke ndërlidhur itinerare kulturore e turistike. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së qendrës historike të Pogradecit, ndërsa vlerësoi se ky investim do ta kthejë këtë zonë në një pol të rëndësishëm turistik. Rama theksoi se projekti ruan njëkohësisht edhe arkitekturën e ndërtesave karakteristike dhe rrugicave me kalldrëm. Krahas kësaj, projekti për rehabilitimin dhe rijetësimin e qendrës historike të Pogradecit parashikon daljen në dritë të një sërë objektesh historike të fillimshekullit XX. Restaurimit dhe rijetësimit i është nënshtruar edhe Kalaja e Pogradecit një dëshmi e historisë dhe trashëgimisë kulturore, e lokalizuar në anën perëndimore të qytetit në një lartësi 205 metra mbi nivelin e liqenit. Kjo kala konsiderohet monument kulture. Qendra historike e Pogradecit është hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij. Në qendrën historike ndërhyrjet restauruese synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistiko-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional në kompozim dhe teknikë, duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale. /m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›