Rikthehet furnizimi me energji elektrike për të gjithë konsumatorët e prekur nga defekti

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Operatorit i Sistemit të Transmetimit (OST) bëri të ditur se mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:30, është stakuar linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” në Tiranë si pasojë e një defekti të identifikuar në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.
Sipas njoftimit zyrtar, brigadat e OST-së, të vendosura në gatishmëri të plotë, kanë identifikuar menjëherë shkakun e defektit dhe kanë ndërhyrë për riparimin e tij.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm janë furnizuar me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.
Paralelisht me punimet në terren, grupet e OSHEE-së kanë kryer manovrime në linjat rezervë, duke shfrytëzuar skemat unazë, me qëllim minimizimin e ndërprerjeve për konsumatorët.
Institucionet me rëndësi të veçantë janë furnizuar me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi është rikthyer gradualisht brenda rreth 30 minutash.
OST bën me dije se në orën 22:09 riparimi i defektit është përfunduar dhe linja është rikthyer në punë, duke garantuar furnizimin e plotë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë konsumatorët e prekur në kryeqytet.
/gj.m/j.p/