E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehet në Tiranë panairi bujqësor, traditë dhe shije vendase

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Nga data 10 deri më 12 tetor, sheshi “Skënderbej”, zemra e kryeqytetit është kthyer në qendër të mirëfilltë të produkteve bujqësore, blegtorale dhe agroushqimore shqiptare, me organizimin e panairit bujqësor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkia e Tiranës.

Ky panair, tashmë një ngjarje e përvitshme dhe e shumëpritur, synon të krijojë një pikë takimi gjithëpërfshirëse bashkëpunimi për fermerë, blegtorë, agropërpunues, sipërmarrës vendas, kompani distribucioni dhe operatorë ndërkombëtarë, duke ofruar një hapësirë konkrete për prezantimin e produkteve dhe lidhjen e partneriteteve të reja në fushën e bujqësisë.

Në edicionin e sivjetshëm të “Tirana Food and Fest 2025”, marrin pjese dhjetëra fermerë dhe biznese që promovojnë prodhimet tipike “Made in Albania” kryesisht nga qarku i Tiranës,  ku kryesojnë: mjalti natyral; vaji i ullirit; produkte artizanale të përpunuara me dorë; glikotë dhe zahiretë dimërore ndërsa panairi ofron dhe minitregje me prodhime bujqësore të freskëta të stinës.

Në këtë aktivitet, pjesëmarrëse janë edhe kompani me emër në industrinë ushqimore shqiptare që operojnë në fushën e përpunimit të qumështit, mishit, lëngjeve të frutave, produkteve të furrës dhe ujit mineral, duke treguar zhvillimin që ka marrë ky sektor vit pas viti.

Në ditën e parë të panairit, u vu re një interes i shtuar nga qytetarët, konsumatorët dhe vizitorët, përfshirë edhe shumë turistë të huaj që ndodhen në vend gjatë këtyre ditëve të tetorit.

Eventi po shërben jo vetëm si një hapësirë ekspozuese dhe bashkëpunimi ndërmjet prodhuesve dhe industrisë përpunuese, por edhe si një treg i drejtpërdrejtë për qytetarët, të cilët kanë mundësinë të blejnë produkte “Made in Albania” me cilësi dhe çmime konkurruese.

Gjatë hapjes së panairit, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, theksoi rëndësinë e këtij organizimi për zhvillimin rural dhe ekonomik.

“Bashkia e Tiranës do të mbështesë çdo nismë që ndihmon fermerët dhe zhvillimin rural. Kemi nevojë të promovojmë produktet tona sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme. Sa më shumë panaire, sa më shumë promovim”,  deklaroi Sula.

Sot, bujqësia shqiptare eksporton në mbi 80 tregje elitare dhe ambicia për vitin 2030 është të arrihet kuota prej 1 miliard USD eksportesh bujqësore, duke u bërë një nga sektorët më konkurrues dhe të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

Panairi “Tirana Food and Fest 2025” do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 12 tetor, duke ofruar mundësi unike për të shijuar nga afër aromën, shijen dhe cilësinë e produkteve vendase  një reflektim i potencialit të jashtëzakonshëm që bujqësia dhe agropërpunimi shqiptar kanë për të ofruar brenda dhe jashtë vendit.

“Tirana Food and Fest 2025”, foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›