“Rikthimi i Zonjave”, dokumentar që sjell në ekran gratë e persekutuara gjatë komunizmit në Shqipëri

Në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, që zhvillohet për të 15-in vit radhazi në Pogradec, u shfaq premiera e dokumentarit “Rikthimi i Zonjave”.
Ky prodhim sjell në qendër historinë dhe vuajtjet e grave të persekutuara gjatë komunizmit, përmes rrëfimit të Fatime Haxhillarit nga Devolli, e mbijetuar e kampeve të Tepelenës, Valiasit dhe Kodër-Kamzës.
Sot, në moshën 90-vjeçare, ajo përcjell kujtesën e dhimbshme të brezit të grave që, pavarësisht internimeve, mbetën shembuj të qëndresës dhe dinjitetit. Producenti i dokumentarit, nipi i saj Armand Braho, tregon se ideja lindi që në fëmijëri nga tregimet e familjes, duke e çuar më tej në mbledhjen e dëshmive dhe dokumenteve arkivore të Sigurimit të Shtetit mbi metodat çnjerëzore të diktaturës.
“Situata e familjes time ka qenë e tillë përgjatë komunizmit, kanë qenë ndër familjet e shumta që kanë vuajtur pasojat e diktuarës së egër”, u shpreh Armand Braho.
E lindur në internim, vajza e Fatimes tregon përjetimet e saj gjatë transmetimit të dokumentarit, të cilin e cilëson si rrëfimin e jetës së saj.
“Ajo është jeta jonë, e shkruara jonë që të rinjtë të shikojnë vuajtjet që kemi hequr dhe si kemi mbijetuar, u shpreh Natasha Haxhillari, vajza e Fatimes.
Në hollin e kinemasë u prezantuan gjithashtu dokumente të survejimit të ish-Sigurimit të Shtetit për familjet Nurçe dhe Haxhillari dhe fotografi të ruajtura prej tyre, që pasqyrojnë kalvarin e internimeve.
Gazetare: Elsa Xhindole
/rtsh.al/