Rindërtimi pas tërmetit/ Tiranë, Koçiu: 150 apartamente janë gati, të shpejtojmë procedurat

Qeveria do të ndërhyjë për të përshpejtuar procedurat për procesin e rindërtimit në Kombinat dhe në të gjithë bashkinë e Tiranës.
Nga njësia numër gjashtë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu tha se deri tani mbi 340 apartamente janë shpërndarë për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, ndërsa 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.
“Procesi ka ecur me ritme jo si do të donim. Banorët janë të paduruar. Duhet të marrim masa ta përmbyllim procesin shumë shpejt”, tha Koçiu.
Ndërkohë që qeveria do të financojë ndërtimin e apartamenteve të reja, Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo tha se do të ketë në fokus bashkëpunimin me bashkinë për të shmangur vonesat e mëtejshme.
“Unë do të jem i fokusuar për të ndërtuar këtë marrëdhënie mes qeverisë dhe bashkisë. Për të zgjidhur të gjitha ngërçet burokratike. Ne do ndërhyjmë dhe nga buxheti i qeverisë qendrore të përshpejtojmë procesin e rindërtimit. Brenda vitit do kemi sinjalet e para për sheshet e para të ndërtimit”, u shpreh Demo.
Nga rreth 150 apartamente të ndërtuara aktualisht në Kombinat, 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për një pjesë tjetër vijojnë ndërhyrjet e nevojshme për ujësjellës-kanalizimet, me qëllim përfundimin e tyre dhe kalimin në fazën e shpërndarjes.
“Në një tjetër shesh ndërtimi ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja dhe tashmë ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve”, shtoi më tej Koçiu.
Sipas zëvendëskryeministres, çdo procedurë duhet të respektojë kërkesat ligjore, por pa u kthyer në arsye për zvarritje.