Rindërtimi pas tërmetit në Kombinat mbyllet në 2028-ën

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Procesi i rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 ishte në qendër të dëgjesës publike për buxhetin 2026 të Bashkisë Tiranë, zhvilluar me banorët e Kombinatit.
Gjatë takimit, banorët ngritën shqetësimet për ecurinë e projekteve.
Nënkryetari i bashkisë Tiranë, Ilir Mëngra, bëri të ditur se nga 688 familje të identifikuara fillimisht, rreth 230 i kanë marrë tashmë apartamentet e reja. Po ashtu, procesi i shortit për ndarjen e banesave është në zhvillim.
“Sot dhe nesër ndahen 82 apartamente të tjera, ndërsa më 31 dhjetor do të hidhet shorti për 80 banesa. Për 75 apartamente të tjera punimet përfundojnë në shkurt”, tha Mëngra.
Ai theksoi se, për shkak të shpronësimeve të domosdoshme gjatë zbatimit të projekteve, numrit fillestar të familjeve i janë shtuar edhe rreth 200 të tjera, duke çuar totalin e apartamenteve të nevojshme në afro 1000.
Sipas tij, rindërtimi në zonën e Kombinatit pritet të përmbyllet mes viteve 2027-2028, pasi aktualisht pesë pallate ndodhen ende në fazë dokumentacioni, ndërsa tre të tjera do të nisin të ndërtohen gjatë vitit 2026.
Në fjalën e saj, nënkryetarja e bashkisë, Vasilika Vjero, u ndal tek investimet në transportin publik, pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm.
“Do të rikonceptohet lëvizja në tri linja kryesore të transportit: linja Kinostudio-Kombinat, ajo e Unazës dhe linja e Tiranës së Re do të kenë korrigjim të korsive dhe reduktim të vonesave në stacione”, u shpreh Vjero.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që nis zbatimin në 2025 është pilotimi i ushqimit në shkolla, nga klasa e parë deri në të pestën, një nismë që synon të rrisë cilësinë dhe mbështetjen për nxënësit në arsimin fillor.
/a.f/r.e/