E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rinis sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 10 tetor/ATSH/ Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga pakica serbe për ta përmbyllur përfundimisht konstituimin e organit ligjvënës.

Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Paraprakisht, kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin në mënyrë të njëanshme.

Kushtetuesja gjithashtu tha se votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.

Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë atë nga pakica serbe – me gjithë vazhdimet e pafundme të seancës së nisur më 15 prill.

Deputetët do të kenë tani 12 ditë kohë, sipas urdhrit të gjykatës më të larët të vendit, për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë Kuvendin e ri përfundimisht.

Megjithatë, gjykata nuk ka sqaruar as në aktgjykimin e fundit të saj se çfarë ndodh tutje nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe Kuvendi nuk konstituohet brenda 12 ditëve afat. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›