E Diel, 1 Nëntor 2026

Rizbulim i rrallë në Tajlandë i një maceje kokësheshtë, e konsideruar e zhdukur

BANGKOK, 31 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një mace me kokë të sheshtë, një specie shumë e rrallë felini e konsideruar si “ndoshta e zhdukur” në Tajlandë, është filmuar nga kamera-kurth në një sanktuar të jetës së egër në jug të vendit, gati tri dekada pas shikimit të fundit.

Lajmi u bë i ditur të  nga autoritetet e zonave të mbrojtura dhe nga organizata joqeveritare për ruajtjen e felinëve, “Panthera”.

Macet me kokë të sheshtë, që kanë madhësinë e një maceje shtëpiake, renditen ndër felinët e egër më të rrallë dhe më të rrezikuar në botë.

Kjo specie, e përhapur në Azinë Juglindore, kërcënohet seriozisht nga humbja e habitatit natyror.

Sipas Departamentit tajlandez të Parqeve Kombëtare, Jetës së Egër dhe Bimësisë, si dhe organizatës “Panthera”, një studim ekologjik i nisur në vitin 2024 ka regjistruar 29 vëzhgime përmes kamerave-kurth.

“Ky rizbulim është njëkohësisht emocionues dhe shqetësues”, tha Kaset Sutasha, veteriner dhe studiues në Universitetin Kasetsart, duke theksuar se fragmentimi i habitatit e ka bërë këtë specie gjithnjë e më të “izoluar”.

Ende nuk është e mundur të përcaktohet numri i saktë i individëve, pasi kjo specie nuk ka shenja dalluese të qarta, gjë që e vështirëson numërimin.

”Megjithatë, vëzhgimet sugjerojnë një përqendrim relativisht të lartë të maceve me kokë të sheshtë”, deklaroi Rattapan Pattanarangsan, përgjegjës i programit të ruajtjes në Panthera.

Pamjet tregojnë një femër me kotelen e saj – një shenjë e rrallë dhe inkurajuese për këtë specie, e cila zakonisht lind vetëm një kotele në çdo herë.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në mbarë botën kanë mbetur rreth 2 500 mace me kokë të sheshtë.

Në Tajlandë, kjo specie ishte klasifikuar si e zhdukur./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›