Rolex, Richard Mille dhe çanta Chanel, grabitet shtëpia e lojtarit të Real Madrid

Mbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao, është bërë viktimë e një grabitjeje në banesën e tij në La Moraleja, pranë Madridit. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, hajdutët kanë përfituar nga momenti kur zhvillohej El Clasico ndaj Barcelonës për të hyrë në shtëpinë e futbollistit dhe për të marrë sende luksoze me vlerë mbi 350 mijë euro.
Ngjarja ndodhi më 25 tetor, ndërsa Militao ndodhej në Barcelonë me skuadrën e Real Madridit, ku qëndroi në stol gjatë fitores 2-1 të madrilenëve. Në banesë ndodheshin disa familjarë të tij, të cilët po ndiqnin ndeshjen në katin e poshtëm, pa e kuptuar se grabitësit kishin hyrë në pjesën e sipërme të shtëpisë.
Sipas raportimeve, të paktën dy persona kanë hyrë përmes një dritareje në katin e tretë dhe kanë kontrolluar dhomën e futbollistit, duke marrë ora luksoze, çanta dhe bizhuteri.
Mes sendeve të vjedhura përmenden një orë Rolex, me vlerë rreth 53 mijë euro, një Richard Mille që vlerësohet afërsisht 170 mijë euro, tri çanta Chanel me vlerë rreth 15 mijë euro, si dhe unaza e byzylykë Cartier që kapin vlerën e rreth 25 mijë eurove. Bashkë me sende të tjera, dëmi i përgjithshëm llogaritet të kalojë 350 mijë euro.
Reklamë
Grabitja u zbulua pasi policia dhe shërbimi privat i sigurisë së kompleksit rezidencial mbërritën në banesë. Gjatë kontrollit, ata gjetën dhomën e lojtarit të përmbysur dhe sende personale të shpërndara.
Autoritetet spanjolle po hetojnë ngjarjen, ndërsa deri tani nuk ka informacion të konfirmuar për arrestimin e autorëve apo rikuperimin e sendeve të vjedhura.