E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimet për Radio Kukësin, në kohën e luftës, radio ishte e vetmja dritare informacioni

Xhafer dhe Dhurata Jashari janë një çift që sot jetojnë në Gjermani, por historia e tyre lidhet ngushtë me një periudhë të vështirë të jetës gjatë kohës së luftës.

Xhaferi tregon se dikur ishte oficer në ish-Jugosllavi dhe për shkak të bindjeve të tij u dënua me 7 vite burg. Gjatë kohës së qëndrimit në burg ai shkroi edhe një libër. Pas lirimit, rruga e çoi në një shtypshkronjë, ku u njoh edhe me bashkëshorten e tij, Dhuratën.

 “Unë kam qenë oficer i Jugosllavisë dhe kam bërë studimet në Zagreb në Akademinë Ushtarake Teknike në vitet 1972/77. Dhe u dënova me shtatë vite burg dhe gjatë kohës që kam vuajtur dënimin përktheva një libër për kompjuter dhe historinë e kompjuterit.”

Ata kujtojnë se në ato vite të vështira, informacioni ishte i kufizuar dhe shpeshherë dëgjonin fshehurazi Radio Kukësin.

Nëna e Xhaferit kujdesej që të mbyllte dritaret dhe dyert, në mënyrë që askush të mos e kuptonte se ata po e dëgjonin radion.

“Në atë kohë ishte e ndaluar dhe nëna ime në Drenicë mbyllte dritaret dhe thoshte se mos na dëgjojnë komshinjtë.”

Gjatë kohës së luftës, Xhaferit iu desh të kthehej për të luftuar, ndërsa familja e tij qëndronte në Gjermani.

 “Kur plasi lufta në Kosovë, si ushtarak u angazhova në luftë.”

Distanca dhe pasiguria e asaj kohe ishin shumë të vështira për familjen.

Dhurata tregon se gjatë asaj periudhe nuk ka bërë gjumë asnjë natë, nga ankthi dhe shqetësimi për fatin e bashkëshortit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 26 vite nga koha e luftës, mirënjohja dhe respekti për Radio Kukësin mbeten të gjalla edhe sot.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›