Rregulla të reja për mbetjet, ndarja në burim bëhet e detyrueshme për qytetarët dhe bizneset, qeveria synon riciklimin e 65% të tyre deri në 2045

Qeveria shqiptare po përgatitet të zbatojë një reformë thelbësore në menaxhimin e mbetjeve urbane, duke e bërë të detyrueshme ndarjen e tyre që në burim për çdo qytetar, biznes dhe institucion. Përmes një projektvendimi të ri të hartuar nga Ministria e Mjedisit, i cili vjen në zbatim të ligjit të ri të vitit 2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Shqipëria synon të përafrojë standardet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe t’i hapë rrugë ekonomisë qarkulluese, shkruan rtsh.al.
Sipas relacionit shpjegues të projektvendimit, synimi kryesor është reduktimi drastik i sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfille dhe rritja e nivelit të riciklimit. Dokumenti shfuqizon një vendim të ngjashëm të vitit 2014, duke vendosur rregulla, afate dhe objektiva shumë më të rrepta.
Detyrimi për qytetarët dhe bizneset
Ndryshimi më i madh që do të prekë përditshmërinë e qytetarëve është detyrimi për t’i ndarë mbetjet sipas fraksioneve të tyre. Letra, kartoni, qelqi, metali, plastika dhe mbetjet organike (bio) nuk do të mund të hidhen më në një kosh të vetëm.
Për këtë qëllim, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të duhet të sigurojnë kontejnerë dhe pajisje të posaçme, të cilat do të jenë të standardizuara sipas ngjyrave dhe etiketave të njohura në të gjithë Evropën. Kjo masë synon të parandalojë përzierjen e mbetjeve të riciklueshme me ato të pariciklueshme, duke ruajtur cilësinë e materialeve për industrinë e riciklimit.
Objektiva në dekadat e ardhshme
Për të matur suksesin e kësaj nisme, qeveria ka vendosur një kalendar afatgjatë me objektiva të qarta për riciklimin dhe përgatitjen e mbetjeve për ripërdorim. Shqipëria synon të riciklojë:
• 25% të mbetjeve deri në vitin 2030
• 50% deri në vitin 2033
• 55% deri në vitin 2035
• 60% deri në vitin 2040
• 65% deri në vitin 2045
Ndërkohë, mbetjet elektronike dhe bateritë do t’i nënshtrohen një regjimi të veçantë juridik, bazuar në parimin e “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”.
Zinxhiri i kontrollit dhe llogaridhënies
Për të shmangur dështimin e nismave të ngjashme në të kaluarën, projektvendimi ngre një sistem të rreptë raportimi vjetor. Operatorët privatë të menaxhimit të mbetjeve do të detyrohen të raportojnë çdo datë 15 shkurt pranë bashkive për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara. Më pas, bashkitë kanë afat deri më 28 shkurt për t’i dërguar këto të dhëna në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila në fund të muajit maj do të publikojë raportin vjetor kombëtar.
Gjatë fazës së konsultimit paraprak me njësitë e vetëqeverisjes vendore, disa bashki si Tirana, Kruja, Librazhdi dhe Dropulli kanë paraqitur sugjerimet e tyre, megjithëse kërkesat për mbështetje shtesë financiare nuk janë përfshirë në këtë draft.
Pavarësisht sfidave infrastrukturore që kanë bashkitë, Ministria e Mjedisit argumenton se ky projektvendim nuk sjell kosto shtesë për Buxhetin e Shtetit, por i hap rrugë krijimit të vendeve të reja të punës në sektorin e riciklimit.
/rtsh.al/