Rrëmbyen dhe mbytën Renis Dobrën – Arrestohen dy vëllezërit Bushgjokaj, ishin shpallur në kërkim

Policia e Tiranës prangosi të premten (19 shtator) dy vëllezërit: Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn, përkatësisht 29 dhe 24-vjeçarë, pasi ishin shpallur në kërkim për rrëmbimin, mbytjen dhe më pas hedhjen e trupit bashkë me automjetin e Renis Dobrës në ujërat e Shkopetit.
Me prangosjen e tyre shkon në katër numri i personave të vënë në pranga për këtë ngjarje, pasi fill pas ngjarjes u prangos vëllai tjetër i tyre, Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri, një tjetër person i përfshirë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në fillim të muajit korrik, ku 23-vjeçari u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut pasi u mor peng.
Trupi i të ndjerit u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij u gjet në ujë.
Ishin kamerat e sigurisë në zonë ato që zbardhën ngjarjen dhe identifikuan autorët, të cilët e kishin planifikuar prej kohësh gjithçka e ku shkak dyshohet se është prishja e pazareve të drogës që ata kishin me njëri-tjetrin.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/