E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëqebulli në “fluturim” mahnit botën: Austriaku Josef Stefan fiton çmimin “Fotografi më i mirë i jetës së egër në 2026”

LONDËR, 27 mars /ATSH/- Një rrëqebull i vogël dhe lozonjar ka fituar votën e publikut në çmimet “People’s Choice Award 2026” të konkursit prestigjioz “Wildlife Photographer of the Year” (Fotografi më i mirë i vitit për jetën e egër), sipas BBC.

Fotografia fituese paraqet një rrëqebull iberik në mes të një gjuetie dinamike, e kapur në momentin perfekt nga fotografi austriak Josef Stefan.

Imazhi është realizuar në Spanjë, pas disa ditësh pritjeje të duruar nga fotografi, i fshehur në një strehë për të mos shqetësuar kafshën.

“Për mua, u duk sikur rrëqebulli mund të fluturonte”, tha Stefan duke iu referuar mënyrës spektakolare se si preja u kap në ajër gjatë ndjekjes.

Përveç fotos fituese, edhe katër imazhe të tjera finaliste fituan zemrat e publikut.

Mes tyre ishte një skenë prekëse e një arusheje polare që fle së bashku me tre këlyshët e saj, si dhe një fotografi dramatike e një dreri që mbante kokën e rivalit pas një përplasjeje të ashpër.

Të pesë imazhet janë aktualisht të ekspozuara në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, si pjesë e ekspozitës së përvitshme “Wildlife Photographer of the Year” – e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 korrik 2026.

Ky konkurs, i organizuar nga Muzeu i Historisë Natyrore, konsiderohet një nga konkurset më prestigjioze në botë për fotografinë e jetës së egër, duke sjellë çdo vit pamje mahnitëse që tregojnë bukurinë, dramën dhe brishtësinë e natyrës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›