Rrezikoi sigurinë e pushuesve, bllokohet mjeti lundrues dhe gjobitet poseduesi

Policia Kufitare e Sarandës ka bllokuar një mjet lundrues që kishte hyrë në perimetrin e sigurisë të pushuesve, ndërsa ndaj poseduesit është vendosur një masë administrative në vlerën totale prej 530 mijë lekësh të rinj.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrolleve dhe patrullimeve përgjatë vijës bregdetare, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur në zonën e përcaktuar për pushuesit, duke rrezikuar sigurinë e personave që ndodheshin në det.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti nuk ishte regjistruar brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe se në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm.
Në përfundim të procedurave administrative, mjeti lundrues u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesit u vendosën gjoba në vlerën totale prej 530 mijë lekësh.
Policia e Shtetit apeloi ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë rregullat e lundrimit dhe të mos hyjnë në zonat e rezervuara për pushuesit.