Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton 3 shtetase në Palasë

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Tre shtetase që kishin dalë në det me kanoe në zonën e Palasës janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, pasi përkeqësimi i motit dhe kushtet e vështira në det i vunë në rrezik.
Gjatë patrullimit në këtë sektor, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan tre shtetaset në det dhe ndërhynë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë.
Falë ndërhyrjes në kohë, ato u nxorën në breg pa rrezik për jetën. Tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë për ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u bëjnë apel pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.
/gj.m/j.p/