E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet kërkesa për debat për Vlora Hysenin, PD bllokon foltoren e Kuvendit

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan sot foltoren e Kuvend pas rrëzimit të kërkesës së tyre për ndryshimin e rendit të ditës, pas zhvillimeve të fundit lidhur me masën e arrestit ndaj ish-kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Seanca plenare u ndërpre për 10 minuta, ndërsa PD kërkoi që të hiqen nga agjenda interpelancat me ministrat Sofjan Jaupaj e Mirela Kumbaro, për t’u zëvendësuar me debat me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH, pasi sipas PD-së, “Kuvendi s’mund të qëndrojë indiferent”.

Fillimisht, Berisha duke marrë fjalën për argumentimin e kërkesës për ndryshimin e rendit të ditës të seancës, u shpreh nuk mund të ketë çështje tjetër sot në parlament pasi ka rënë siguria kombëtare.

“Sot debati do të jetë vetëm për këtë çështje dhe kreu i juaj të njoftojë dorëheqjen aty ku është dhe të vijë me urgjencë këtu”, tha ai.

“Shqiptarët kërkojnë autopsinë e plotë, të vërtetën e të gjithë kësaj ngjarjeje të pashembullt. Njeriu i paguar për sigurinë e tyre ka bashkëpunuar me kartelet dhe bandat më të rrezikshme të krimit, me autorësinë e Edi Ramës”, vijoi kreu i PD-së.

“Nuk është një ditë kjo si të tjerat, në 35 vite, asnjë ditë nuk ka pasur si kjo. Fatos Klosi ka bashkëpunuar me bandat, i ka përdorur ato kundër kundërshtarëve politikë, kurse kjo ishte një ushtare e bandës”, tha Berisha.

Nga ana tjetër sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, tha se “e kemi dëshmuar jo vetëm si vullnet politik, por me fakte, që ajo që kemi bërë më reformën në drejtësi do të jetë standardi ynë”.

Sipas tij, në asnjë rast PS nuk do të marrë asnjë funksionar në mbrojtje.

“Në asnjë rast nuk do të shmangim nga përgjegjësia individuale, çdo individ do të përballet me drejtësinë e re”, tha ai.

Duke iu drejtuar Berishës, Klosi i kujtoi se shefi i Shërbimit kur ai ishte në pushtet, Gazidede, megjithëse ishte akuzuar për të vrarë njerëz, u bë komandat i Forcave të Armatosura në ‘97.

“Për të vrarë akoma më shumë njerëz, për të hapur depot, për të shkatërruar Shqipërinë. Sot t’i vazhdon të jesh non grata i akuzuar si kriminel si i korruptuari më i madh i Ballkanit”, tha Klosi.

1 nga 6

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›