Rritet interesi i të rinjve, Universiteti i Sporteve mbyll konkurset e pranimit

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Këtë të enjte u mbyll gara e konkurseve të pranimit të maturantëve në dy fakultetet kryesore të Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST): Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes dhe Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit.
Vlerësimi i kandidatëve është bërë mbi bazën e konkurrimit praktik, i cili zë 70% të pikëve, dhe mesatares së shkollës së mesme me 30%.
Rektori i Universitetit të Sporteve, prof. dr. Agron Kasa, tha për RTSH se, interesimi i studentëve për degët e universitetit ka qenë i lartë dhe se çdo vit kuotat janë plotësuar, pa njohur krizë regjistrimesh.
“Kemi një rritje rreth 37% të studentëve që kanë konkurruar. Universiteti i Sportit vazhdon akoma të jetë në preferencat e studentëve që vijnë nga shkollat e mesme për herë të parë në universitet”, thotë Kasa.
Degët më të kërkuara në Universitetin e Sporteve mbeten “Mësues për edukimin fizik” dhe “Rekreacioni”, i cili përgatit guida turistike dhe trajnerë fitnesi.
“Studentët, kandidatët e rinj, janë bërë të mençur. E para, ata shkojnë në ato degë ku vendi i punës është thuajse i garantuar; dhe e dyta, është më i paguar”, shton Kasa.
Rektori theksoi gjithashtu që miti se “Universiteti i Sporteve është vetëm për meshkuj” është rrëzuar prej vitesh, pasi gjithnjë e më shumë vajza po konkurrojnë dhe regjistrohen në programet e ndryshme.
“Kemi pasur çdo vit një numër shumë të madh të vajzave dhe kjo na ka lumturuar tej mase”, shprehet rektori i UST-së.
Për vitin akademik 2025–2026, kuotat e studimit në ciklin Bachelor janë: Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes – 195 kuota, për programin “Shkencat e Lëvizjes”. Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit – 195 kuota, për programin “Fushat e veprimtarisë fizike, shëndetit dhe të rekreacionit”. Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit – 130 kuota, për programin “Shkenca të rehabilitimit”
Me përfundimin e konkurseve, Universiteti i Sporteve të Tiranës pritet të shpallë fituesit, duke ruajtur traditën e plotësimit të kuotave dhe interesit të lartë për studimet në fushën e sportit dhe shëndetit. /RTSH/