E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e çmimeve, shqiptarët “turizëm produktesh” në Maqedoninë e Veriut! Fluks i lartë mjetesh në Qafë Thanë

Vijon fluksi i lartë i automjeteve në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku çdo ditë krijohen radhë të gjata në të dy anët e kufirit. Situata është bërë e zakonshme, sidomos gjatë fundjavave, por edhe në ditët e javës, ku dhjetëra drejtues mjetesh presin për të kaluar drejt Maqedonisë së Veriut.

Shkaku kryesor i kësaj lëvizjeje masive mbetet diferenca e ndjeshme e çmimeve. Shumë qytetarë shqiptarë po i drejtohen Maqedonisë së Veriut për të furnizuar automjetet e tyre me karburant, i cili rezulton ndjeshëm më i lirë krahasuar me Shqipërinë. Përveç karburantit, ata shfrytëzojnë këtë lëvizje edhe për të blerë produkte ushqimore dhe mallra të tjerë të konsumit të përditshëm, të cilët në vendin fqinj ofrohen me çmime më të ulëta.

Banorët e zonave juglindore, por jo vetëm, e kanë kthyer këtë në një praktikë të përditshme apo javore, duke e parë si një mënyrë për të kursyer në shpenzimet familjare. Kjo ka sjellë jo vetëm rritje të fluksit në kufi, por edhe ngarkesë për autoritetet doganore dhe policore, të cilat po përballen me radhë të gjata dhe kohë pritjeje të zgjatura.

Ndërkohë, për sa kohë diferenca e çmimeve mbetet e lartë, pritet që kjo situatë të vijojë, duke e kthyer Qafë Thanën në një nga pikat më të ngarkuara kufitare në juglindje të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›