Rritja e çmimit të naftës, operatorët e transportit takohen sot me ministrat. Foni: S’garantojmë vijimin e shërbimit nëse s’plotësohen kërkesat

Rritja e çmimeve të karburanteve po krijon vështirësi të mëdha për shoqatat e transportit publik ndërqytetës, të cilat paralajmërojnë për pasoja në funksionimin normal të shërbimit.
Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Konstadin Foni, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri, bëri të ditur se çmimi i karburantit ka pësuar rritje të menjëhershme, duke kaluar nga 30-40 lekë në fillim, deri në 60-70 lekë aktualisht.
Ai theksoi se ditën e sotme të gjithë operatorët e transportit do të takohen me Ministrin e Financave Petrit Malaj, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi për të diskutuar situatën dhe për të kërkuar masa konkrete, në linjë me praktikat që kanë ndjekur edhe vendet e rajonit dhe Europës.
“Trendi i rritjes ditët e para ishte 30-40 lekë më pas ka vijuar 60 dhe 70 lekë aktualisht. I jemi drejtuar me shkresa institucioneve përkatëse por nuk kemi pasur asnjë lloj reagimi deri dy ditë më parë nga Bashkia Tiranë. Sot presim të kemi një takim me ministrat Malaj, Ibrahimaj dhe Karaçani.
Presim të kemi ndonjë reagim sikurse kanë reaguar vendet e rajonit apo Europës që janë prekur nga rritja e çmimit të menjëhershëm të karburantit”, deklaroi Foni.
Ky i fundit renditi dhe 4 kërkesat që kanë operatorët e transportit. Ai bëri me dije se kërkojnë nga qeveria riaktivizimin e VKM-së për paketën antikrizë; heqjen e akcizës për transportin publik; heqjen e taksës së qarkullimit; si dhe TVSH-në në shitje ku është 20% aplikimi në shitjen e çdo bilete.
“Ne kërkojmë nga qeveria të riaktivizohet VKM-ja që përfshinte ndihmën financiare, paketa antikrizë, ku është subvencionuar 100 lekë për litër ndaj operatorëve ( ka qenë para 4 vitesh në kohën e nisjes së luftës ruse në Ukrainë, ku çmimi i karburantit arriti në të njëjtat nivele).
Kërkojmë gjithashtu heqjen e akcizës për transportit publik; heqja e taksës së qarkullimit; si dhe TVSH-ja në shitje ku është 20% aplikimi në shitjen e çdo bilete”, u shpreh Foni teksa paralajmëroi se Shoqata e Transportit Ndërqytetës nuk do të mund të garantojë dot vijueshmërinë e transportit për qytetarët nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
“Ne kemi dhënë goxha kohë. Ne kemi dhënë afat deri në fund të muajit për plotësimin e kërkesave, është pamundësi financiare, nuk garantojmë dot vijueshmërinë e transportit publik.
Ne kemi një çmim të paracaktuar. Ne nuk ndryshojmë dot çmimin e biletës për të arritur në nivelin e kostove të operatorëve. Ne nuk reagojmë dot ndryshe përveç kërkesave tonë. Nëse nuk do ketë reagim, operatorët do reduktojnë ndjeshëm numrin e mjeteve për shkak të mospërballimit të çmimit të karburanteve.
Nga sot nëse do ketë vendimmarrje ku qeveria nuk do mbështesë këtë sektor, ne nuk garantojmë dot vijueshmërinë e transportit. Sot në orën 11:00 është takimi me ministrat përkatës dhe operatorët e transportit”, deklaroi ai.
/rtsh.al/