Rruga Milot-Balldre, Rama: Sapo të kemi kontratën e rregullt do të fillojmë edhe këtë segment

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldre duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm ndaj edhe procedura e koncesionit është anuluar.
Rama iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, ku veçoi pyetjen e një komentuesi se kur do të ndërtohet ky segment rrugor.
“E kemi shpjeguar dhe rishpjeguar. Është në proces, ne i kemi të gjitha gati, por na duhet transparencë, na duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm. Për këtë arsye edhe procesi është anuluar dy herë, në mos gabohem, apo tre herë”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se sapo të jetë lidhur kontrat në mënyrë të rregullt dhe të plotë do të fillohet edhe ky segment.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar në 14 korrik procedurën e koncesionit për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldre me vlerë 364,7 milionë euro dhe kohëzgjatje 35 vjet.
Arsyeja e anulimit është pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushi kërkesat e procedurës konkurruese.
Gjurma e propozuar e segmentit rrugor Milot-Balldre fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldre.
Autostrada e re Milot-Balldre parashikohet të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian.
Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët. Gjerësia e saj do të jetë nga tri korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.
/m.m/j.p/r.e/