Rruga Tiranë-Elbasan, qeveria autorizon nisjen e tenderit
Ervin KOÇI
Qeveria autorizoi dje në mbledhjen e saj të radhës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për të nisur procedurat e tenderimit për ndërtimin e disa veprave madhore publike, tunelit Tiranë-Elbasan, rrugës së Arbrit, nga Ura e Vashës, loti i 3-të dhe lotin e 8-të, të by pass-it Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, si dhe për nisjen e studimit të projektimit për disa segmente të tjera të rëndësishme rrugore. Kryeministri Berisha, duke e konsideruar tunelin Tiranë-Elbasan një ndër veprat madhore e më fizibël të ndërtimeve të derisotme, tha se tuneli do të financohet me paratë e buxhetit të shtetit dhe nga dita e nënshkrimit të kontratës, afati i dorëzimit të tij do të jetë 18 të muaj. Duke e cilësuar rrugën e Arbrit, si rrugën e dytë të kombit, Kryeministri tha se kjo rrugë, nga Ura e Vashës, do të përfundojë brenda këtij mandati. Një projekt tjetër të rëndësishëm, Kryeministri Berisha konsiderojë edhe fillimin e studimit të projektimi për rrugën Tiranë-Dajt-Qafë Mollë-Bizë, i cili do të bëjë lehtësisht të arritshme një ndër zonat më të bukura turistike malore të vendit.
Investimet
Investimet në infrastrukturën rrugore do të jenë prioriteti i qeverisë edhe për vitin që vjen, ku parashikohen të investohen plot 500 milionë euro. Korridori 8, mbetet një projekt i rëndësishëm për qeverinë shqiptare, ashtu si dhe ndërtimi i shumë rrugëve të tjera. Krahas infrastrukturës rrugore, qeveria do të investojë edhe në infrastrukturën portuale. Sipas qeverisë, tuneli do të financohet kryekëput me paratë e buxhetit të shtetit dhe nga dita e nënshkrimit të kontratës, afati i dorëzimit të tij do të jetë 18 të muaj. Tenderi do të jetë tender i hapur ndërkombëtar. Tuneli përbën një ndër veprat madhore e më fizibël të të gjitha ndërtimeve të derisotme. Shpreh kënaqësinë që vendosim sot për këtë projekt, që shkurton me 70 për qind distancën midis Tiranës dhe Elbasanit dhe e bën Elbasanin qytetin me një distancë pak më të madhe se Fushë Kruja e më të afërt se Durrësi, por që shkurton në mënyrë të ndjeshme edhe distancën e udhëtimit për në Tiranë, për të gjithë qytetarët që nisen nga Leskoviku, Gramshi dhe së shpejti, me fillimin e punimeve të tjera, nga i tërë jugu i Shqipërisë.
Tunelet
Rruga Tiranë-Elbasan parashikohet që të ketë edhe një tunel prej 4 kilometrash. Gjithashtu, edhe rruga tjetër po aq e rëndësishme, Berat-Tepelenë, parashikon të ketë tunel. Mësohet se dy akset do të ndërtohen nga e para, duke kaluar në territore të reja, me synim shkurtimin e distancës. Për Tiranë-Elbasan, mobilizimi i Ministrisë së Transportit ka nisur me kohë, kur në marsin e këtij viti ministri Sokol Olldashi dhe Kryeministri paraqitën detaje të projektit të hartuar nga një kompani italiane. Sipas projektit, gjatësia e rrugës parashikohet të jetë rreth 31 km, me 7 mbikalime, 4 nënkalime dhe me një tunel prej 4 kilometrash, i përbërë nga dy hyrje-dalje. Aktualisht nuk ka një vlerësim të saktë të projektit sa i takon financimit, por përflitet rreth shumës 15 miliardë lekë. Deri tani janë interesuar Fondi Kuvajtian dhe Banka Europiane e Investimeve, duke pranuar të japin 1.3 miliardë lekë për vitin 2011.
Shkurt
Vodafone, i pari operator që sjell teknologjinë “3G” në Shqipëri
Mbas shpalljes zyrtare nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare si fituese e tenderit për teknologjinë “3G”, Vodafone Albania njofton se fillimi i shërbimeve në Tiranë është tashmë çështje javësh. Haris Broumidis, Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania tha dje se, kompania është operatori i parë që do të ofrojë teknologjinë e shumëpritur “3G” në Shqipëri. Vodafone Albania do të ndërtojë një rrjet krejtësisht të ri “3G” dhe planifikon të investojë 70 milionë euro në mënyrë që ta shtrijë këtë rrjet në çdo cep të Shqipërisë gjatë 18 muajve të ardhshëm. Sipas z. Broumidis, në pak javë klientët do të kenë mundësinë t’iu gëzohen shërbimeve “3G” në Tiranë dhe më tej, çdo muaj, rrjeti do të shtrihet në zona të tjera duke filluar nga qendrat e mëdha urbane e deri në zonat e largëta rurale. Përmes investimit në teknologjinë “3G”, Vodafone Albania jo vetëm që do të fuqizojë komunikimin e klientëve të vet aktualë, por do të hapë një perspektivë krejt të re të internetit me bandë të gjerë për të gjithë shqiptarët. Teknologjia “3G” do të revolucionarizojë përdorimin internetit të shpejtë në çdo pajisje që mund të akomodojë një kartë “SIM Vodafone”, pavarësisht nëse përdoret në një telefon celular, kompiuter, lap-top etj. Kompania ka njoftuar se do të fillojë të ofrojë shpejtësi shkarkimi deri 14.4 Mbps në të gjithë zonat e mbuluara me rrjet “3G”, shpejtësi e cila do të ngrihet në nivele akoma dhe më të larta në zonat më të dendura gjatë vitit tjetër. Duke qenë e para në aplikimin e teknologjisë 3G në Shqipëri, Vodafone përforcon më tej angazhimin e vet për të qenë në krye të risive teknologjike.
Dimitris Blatsios, Drejtori i ri Ekzekutiv i AMC
“COSMOTE” bën të ditur caktimin e zotit Dimitris Blatsios në detyrën e Drejtorit të ri Ekzekutiv të AMC, që nga 6 dhjetori 2010. Zoti Dimitris Blatsios vjen në AMC nga posti i Drejtorit Komercial të “GLOBUL”, kompanisë bijë të “COSMOTE” në Bullgari, që nga marsi 2009, dhe posti i Drejtorit të Përgjithshëm të “GERMANOS Telecom” në Rumani, që nga tetori 2006. Ai do të zëvendësojë z. Stefanos Oktapodas, që për më shumë se 10 vjet ka drejtuar kompaninë AMC. Më parë zoti Blatsios ka drejtuar Divizionin Ndërkombëtar të Shitjeve me Pakicë të Grupit “GERMANOS” (Poloni, Bullgari, Rumani, Ukrainë, Maqedoni dhe Qipro). Para se të bashkohej me Grupin “GERMANOS”, ai ka mbajtur pozicione drejtuese në disa kompani shumëkombëshe. Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Grupit “OTE”, Michael Tsamaz, falënderoi z. Stefanos Oktapodas, tashmë në largim, për kontributin e tij jetik në zhvillimin e AMC gjatë këtyre dhjetë viteve dhe i uroi suksese në përpjekjet e tij të ardhshme.
Me “Eagle Mobile” destinacioni është Europa
Abonentët “Eagle” me fat tashmë mund të përjetojnë një udhëtim falas në Europë. “Eagle Mobile” ka zgjedhur një iniciativë të veçantë për të festuar me shqiptarët lëvizjen e lirë drejt Europës. Me “Destinacioni Europë” abonentët “Eagle” vetëm nëpërmjet një SMS-je mund të kenë fatin të jenë fitues të dy biletave dhe akomodimit në një fundjavë në një nga vendet më të bukura të Europës. Në lojën promocionale “Destinacioni Europë” nga data 1 deri më 31 dhjetor, çdo ditë do të përzgjidhet një fitues që do të deklarohet drejtpërdrejt në “TV Klan” në orën 20:00. Pra 31 çifte do të kenë mundësi të përjetojnë fundjava magjike në qytetet më të bukura europiane. Çdo fitues do të ketë mundësinë të udhëtojë bashkë me një të afërm, mik apo shok në një fundjavë të janarit 2011. Në këtë udhëtim përfshihen biletat vajtje-ardhje, akomodimi në hotel për dy net me tre vakte të përfshira, si dhe sigurimi i jetës. Abonentit i mbetet vetëm të zgjedhë personin që dëshiron ta shoqërojë, dhe “Eagle Mobile” do të mundësojë shpenzimet e këtij udhëtimi. Shtetet ku mund të shkohet me “Destinacioni Evropë” janë Italia me 6 fitues, Spanja me 3 fitues, Holanda 3 fitues, Franca 3 fitues, Gjermania 3 fitues, Republika Çeke 2 fitues, Portugalia 3 fitues, Austria 3 fitues, Hungaria 3 fitues dhe Suedia 2 fitues. Ndërkohë që udhëtimet do të bëhen gjatë fundjavave të muajit janar 2011. Për tu bërë pjesë e këtij udhëtimi çdo abonent duhet të dërgojë një SMS në 56000 me një tekst të lirë. Ata mund të dërgojnë deri në dy SMS në ditë, ku një SMS kushton 50 lekë (pa TVSH), dhe sa më shumë SMS të dërgohen gjithsej aq më shumë rriten shanset që abonenti të jetë fitues. I njëjti numër shënohet në listë aq herë sa numri i mesazheve të dërguara.
Albtelekom, festoni dhe përfitoni dhurata përtej limiteve
Abonentët e “Albtelekom”-it edhe këto festa do të kenë surpriza dhe dhurata pafund. Kompania, përmes ofertës “Dhuratë përtej limiteve”, për të gjithë përdoruesit e internetit mundëson përfitime dhe çmime të leverdishme. Duke filluar nga data 1 dhjetor 2010, përmes ofertës së re abonentët e rinj të shërbimi të internetit me ADSL do të kenë mundësi të zgjedhin paketën që u nevojitet si dhe të përfitojnë dhuratën e ofruar. Abonentët e rinj që zgjedhin paketën 2 Mbps, me limit 4 Gbyte do të përfitojnë nga mundësia për të përfituar falas modemin, tarifën e instalimit dhe një muaj abonim të shërbimit të internetit. Abonentët e kësaj pakete do të paguajnë vetëm 1,999 lekë në muaj. Ndërkohë duke u abonuar në paketën 2 Mbps pa limit dhe duke paguar vetëm 2,999 lekë në muaj, abonentët e rinj do të mund të përfitojnë modemin, instalimin dhe një muaj internet falas. Gjithashtu për vetëm 3,999 lekë në muaj kushdo do të ketë mundësi të përfitojnë paketën 4 Mbps pa limit dhe të marrë dhuratë modemin, tarifën e instalimit dhe një muaj internet falas. Për abonentët e rinj të paketës ekonomike 2 Mbps, me limit 1Gbyte kompania do të ofrojë modemin dhe tarifën e instalimit falas. Abonentët që zgjedhin të jenë pjesë e kësaj pakete përveç dhuratave të ofruara nga kompania do të paguajnë 999 lekë në muaj. Në prag të festave, për abonentët e rinj që i bashkohen familjes së madhe “Albtelekom”, nëse vendosin të marrin të dy shërbimet, një telefon fiks dhe shërbimin e internetit me ADSL, kompania do të ofrojë tarifën e instalimit të telefonisë fikse falas, si dhe u krijon mundësinë e marrjes së shërbimin e njërës prej paketave të mësipërme sëbashku me dhuratat. Të gjitha çmimet nuk përfshijnë TVSH.
2 Dhjetor 2010