E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rubin përfundon dëshminë treditore në Hagë: UÇK, pa strukturë ushtarake formale. Thaçi nuk ishte komandanti kryesor

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Për tre ditë me radhë ai dëshmoi në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, teksa e ka cilësuar si të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre të akuzuarve të tjerë.

Për Thaçin, Rubin tha se ai nuk ka qenë udhëheqësi kryesor i UÇK-së dhe se ishte e qartë që ai kishte eprorë nga të cilët merrte miratimin. “Thaçi nuk ka qenë asnjë lloj komandanti kryesor”, theksoi ai.

Lidhur me negociatat në Rambuje, i pyetur nëse Thaçi kishte kërcënuar Veton Surroin dhe Dukagjin Goranin, anëtarë të delegacionit të atëhershëm të Kosovës në Rambuje, për mbështetjen e tyre për një marrëveshje, Rubin tha se nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim fizik. Ai bëri dallim midis presionit moral dhe atij fizik, duke theksuar se presioni ideologjik mbi çështjen e pavarësisë ishte i pranishëm.

Ai zbuloi se Madeleine Albright kishte ushtruar presion mbi Thaçin për të pranuar marrëveshjen.

“Edhe Albright e ka kërcënuar Thaçin, dhe i ka thënë po nuk e nënshkrove, po i lë njerëzit e tu të pambrojtur nga serbët”, deklaroi Rubin.

Lidhur me strukturën dhe veprimtarinë e UÇK-së, Rubin tha se nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë. Në dëshminë e tij, Rubin u shpreh se UÇK-ja kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.

Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

 “Kam lexuar shpesh komunikata të UÇK, por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.

Duke folur për Adem Demaçin, Rubin e quajti atë ekuivalent të Nelson Mandelës, për shkak të viteve të gjata në burg dhe autoritetit të madh moral mbi lëvizjen çlirimtare. Ai theksoi se ndikimi i Demaçit ishte kryesisht moral, jo fizik.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi i mohojnë akuzat e ngritura nga Prokurori Special për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë fundviteve ’90.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›