E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia çaktivizoi GPS-in e avionit të Von der Leyen? BE reagon me masa të forta

Bashkimi Evropian ka njoftuar planet për të shtuar satelitë të rinj në orbitën e ulët të Tokës, si pjesë e një strategjie për të rritur sigurinë e sistemit të saj të navigimit dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga ndërhyrjet e huaja.

Lajmi u konfirmua nga Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, vetëm një ditë pas një incidenti që ka shkaktuar shqetësim të madh në Bruksel. Avioni i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, humbi sinjalin GPS gjatë zbritjes në aeroportin e Plovdivit, në Bullgari.

“Po, ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul në mënyrë të sigurt,” deklaroi zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podesta, duke cituar burime nga Reuters.

Autoritetet bullgare dyshojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të qëllimshme, e cila mund të ketë ardhur nga Rusia, duke rritur shqetësimet për sigurinë e rrjeteve evropiane të navigimit satelitor.

Përballë këtij incidenti, BE ka vendosur të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar mbrojtjen e sinjaleve satelitore. Sipas Komisionerit Kubilius, përmes vendosjes së satelitëve të rinj do të:

  • rritet rezistenca ndaj ndërhyrjeve dhe manipulimeve elektronike,
  • përmirësohet kapaciteti për të zbuluar sinjale të paligjshme,
  • dhe do të mbrohet më mirë siguria e transportit ajror dhe infrastrukturës kritike në të gjithë territorin e BE-së.

“Kjo nuk është thjesht çështje teknike. Është çështje sigurie kombëtare për të gjitha vendet anëtare,” theksoi Kubilius.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›