E Martë, 3 Nëntor 2026

Rusia i kthen Ukrainës trupat e 1200 personave të vrarë

Rusia i ka kthyer edhe 1.200 trupa për të cilët thotë se i përkasin qytetarëve ukrainas të vrarë në luftë, thanë autoritetet ukrainase të dielën. Ndërkohë, luftime të ashpra kanë vazhduar dhe Rusia pretendoi se ka marrë nën kontroll një fshat në rajonin e Donjeckut.

Riatdhesimet po kryhen pas dy rundesh bisedimesh të drejtpërdrejta për paqe në Stamboll, të cilat prodhuan marrëveshje për këmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vdekurve, por nuk sollën përparim të dukshëm drejt përfundimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Edhe 1.200 trupa, që pala ruse pretendon se i përkasin qytetarëve ukrainas, përfshirë ushtarë, janë kthyer në Ukrainë”, tha Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, të dielën në Telegram.

Autoritetet do të punojnë për t’i identifikuar trupat, thuhet më tej.

Kjo e çon në 4.012 numrin e përgjithshëm të trupave të dërguara nga Rusia në Ukrainë. Rusia ka raportuar se ka marrë gjithsej 27 trupa të ushtarëve vrarë rusë nga Ukraina deri më tani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›