E Martë, 3 Nëntor 2026

Rutte: NATO drejt rritjes historike të shpenzimeve ushtarake përballë kërcënimit rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se nuk ka qenë “e vështirë” të bindeshin vendet anëtare të rrisnin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), për shkak të kërcënimit në rritje që vjen nga Rusia. Në një intervistë për The Guardian, në prag të samitit të aleancës perëndimore, Rutte theksoi se të gjitha 32 vendet anëtare janë dakord për rritjen e shpenzimeve, pasi “në lojë është shumë”.

Sipas marrëveshjes së re, anëtarët e NATO-s do të zotohen të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të PBB-së, ndërsa 1.5% shtesë do të shkojë për investime më të gjera në siguri, përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe inteligjencën.

“Situata e sigurisë ka ndryshuar në mënyrë drastike dhe njerëzit e dinë se nëse vjen thirrja [në rast sulmi ndaj një vendi anëtar]… atëherë duhet të përmbushësh atë që ke premtuar. Duhet të jesh i përgatitur,” tha Rutte.

Rutte e përshkroi Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë” për NATO-n dhe paralajmëroi se Moska mund të jetë në gjendje të nisë një sulm ndaj vendeve të aleancës brenda 3 deri në 5 vitesh. Ai theksoi gjithashtu se Rusia po prodhon katër herë më shumë municione sesa e gjithë aleanca e NATO-s, pavarësisht se ka një ekonomi me vlerë vetëm 2 trilionë dollarë, krahasuar me 50 trilionë të vendeve anëtare të NATO-s.

Në këtë moment kritik për aleancën me luftën në Ukrainë që po hyn në vitin e katërt dhe rrezikun në rritje të një përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, Rutte theksoi se ish-presidenti Donald Trump mbetet “absolutisht” i përkushtuar ndaj NATO-s, pavarësisht deklaratave të mëparshme të tij që kanë vënë në dyshim ekzistencën e aleancës.

“U them evropianëve: mos u shqetësoni aq shumë, por përqendrohuni në atë që mund të bëni – shpenzoni më shumë, forconi industrinë ushtarake, sepse ata [SHBA-të] janë të përkushtuar, por gjithashtu presin që edhe ne të kontribuojmë më shumë,” tha Rutte.

Trump pritet të udhëtojë të martën në Hagë, megjithëse nuk është e qartë nëse zhvillimet në Lindjen e Mesme do të ndikojnë në axhendën e tij. Rutte u shpreh mbështetës ndaj sulmeve amerikane mbi objektivat bërthamore iraniane, duke i cilësuar ato si “veprime vendimtare” që kanë hapur rrugën për dialog diplomatik.

“Ka qenë gjithmonë qëndrimi i NATO-s që Irani nuk duhet të ketë kapacitet bërthamor,” tha ai, duke shtuar se nëse Irani do të sulmonte territorin e NATO-s, reagimi i aleancës do të ishte “shkatërrues”.

Ndërkohë, janë shfaqur tensione brenda aleancës, pasi Spanja sinjalizoi se nuk do ta mbështesë objektivin e ri për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje, duke e quajtur këtë qëllim “të paarsyeshëm”. Aktualisht, Spanja shpenzon rreth 1.3% të PBB-së për mbrojtje, por ka deklaruar se nuk do të bllokojë marrëveshjen dhe se mund të përmbushë kontributin e saj në planin ushtarak të NATO-s me një shpenzim prej vetëm 2.1%.

Trump reagoi ashpër ndaj kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez dhe qeverisë së tij, duke thënë: “NATO do të duhet të merret me Spanjën. Spanja ka qenë një kontribuese shumë e dobët.”/abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›