E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rutte: NATO forcon mbrojtjen me “murin e dronëve” përballë kërcënimeve ruse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca po përgatitet të forcojë aftësinë e saj mbrojtëse, në një kohë kur Rusia duket se po teston reagimin e saj përmes ndërhyrjeve të përsëritura me dronë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare.

Në prag të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Rutte tha se një nga temat kryesore do të jetë krijimi i një “muri me dronë” në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, për t’u përballur me kërcënimet e reja ajrore.

“Sot do të jetë një takim i rëndësishëm. Do të diskutojmë si të mbrojmë më mirë NATO-n nga këto zhvillime të reja. Dronët janë bërë një sfidë reale dhe duhet të reagojmë me shpejtësi dhe bashkëpunim,” tha Rutte.

Shefi i NATO-s kujtoi se gjatë samitit të fundit në Hagë, aleatët ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 5%, nga të cilat 3.5% do të shkojnë për mbrojtjen thelbësore dhe 1.5% për çështje të tjera strategjike.

Në takim po merr pjesë edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa në qendër të diskutimeve është mbështetja për Ukrainën.

Rutte njoftoi se po zgjerohet programi i nisur në gusht për mbështetje ushtarake amerikane, me rreth 2 miliardë dollarë të zotuar deri tani nga aleatët.

“Ky program përfshin sisteme mbrojtjeje ajrore dhe interceptorë, që janë jetikë për mbrojtjen e popullsisë dhe infrastrukturës civile të Ukrainës kundër sulmeve të vazhdueshme ruse,” tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›