SHBA – Arrin në 30 numri i viktimave nga moti i paprecedentë

NJU JORK, 27 janar /ATSH-AFP/ – Më shumë se gjysmë milioni amerikanë u zgjuan sot pa energji elektrike, ndërkohë që temperaturat e ulëta përfshinë zona të gjera të vendit në një stuhi të fuqishme që ka shkaktuar të paktën 30 viktima.
Një masë ajrore arktike jashtëzakonisht e ftohtë dhe kërcënuese për jetën mund të vonojë rikuperimin, ndërsa bashki nga Nju Meksiko deri në Maine përpiqeshin të përballonin pasojat e stuhisë, e cila solli një përzierje të rrezikshme dëbore të dendur dhe erërash të forta, si edhe shi të ngrirë dhe dëborë të imët.
Parashikuesit paralajmëruan se pjesa më e madhe e gjysmës veriore të vendit do të përjetojë temperatura vazhdimisht nën zero deri më 1 shkurt, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) në një postim në X.
”Temperatura rekord të ulëta u regjistruan edhe në shtetet jugore, të cilat nuk janë mësuar me dimra kaq të ashpër”, shtoi ai.
Ndërsa qielli nisi të pastrohej në disa zona, reshjet e pandërprera në verilindje bënë që pjesë të Konektikatit të regjistronin mbi 56 centimetra dëborë, ndërsa në Boston dhe Masaçusets më shumë se 40,6 centimetra dëborë.
Energjia elektrike nisi të rikthehej gradualisht në jug, por deri të martën në mëngjes më shumë se 540 000 konsumatorë ishin ende pa rrymë, sipas faqes Poweroutage.com.
Tenesi,Teksasi, Misisipi dhe Luiziana ishin veçanërisht të goditura.
Më shumë se 9 000 fluturime u ndërprenë, ndërsa stuhia paralizoi transportin në të gjithë vendin./ /Ad.Ab./ a.jor.