SHBA – DASH vendos ndalim hyrjeje për pesë evropianë për shkak të dyshimeve për censurë

UASHINGTON, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalim hyrjeje për pesë persona për shkak të censurës së supozuar të platformave online amerikane, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.
Midis të prekurve janë dy drejtorë menaxhues të organizatës gjermane ”HateAid”, e cila bën fushatë kundër abuzimit online.
Departamenti i Shtetit tha se ndalimi vlen për Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon, tha zëvendëssekretarja e Shtetit, Sarah Rogers në X.
Von Hodenberg u vlerësua me Urdhrin Federal të Meritës të Gjermanisë në tetor në njohje të punës së saj kundër dhunës dixhitale.
”HateAid”, e themeluar në vitin 2018, konsiderohet si qendra e parë kombëtare e këshillimit në Gjermani për njerëzit e prekur nga abuzimi online.
Ndalimi i hyrjes synon gjithashtu ish-komisionerin francez të BE-së Thierry Breton, i cili konsiderohet si një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, legjislacion që rregullon platformat online.
Dy individë të tjerë të emëruar nga Departamenti i Shtetit janë Imran Ahmed, themelues i Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Digjitale SHBA/MB, dhe Clare Melford, themeluese e Indeksit Global të Dezinformimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dy organizatat punojnë për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin në internet.
Fillimisht, Departamenti i Shtetit i kishte referuar pesë individëve vetëm si “aktivistë radikalë” dhe organizata joqeveritare “të armatosura” që kishin promovuar masa censure nga shtetet e huaja.
Pesë individët kanë udhëhequr “përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë, demonetizojnë dhe shtypin pikëpamjet amerikane që ata kundërshtojnë”, tha departamenti.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shkroi në X se “për një kohë shumë të gjatë, ideologët në Evropë kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të ndëshkojnë pikëpamjet amerikane që ata kundërshtojnë”.
“Administrata Trump nuk do t’i tolerojë më këto akte të shëmtuara të censurës ekstraterritoriale”, shtoi Rubio./ a.jor.