SHBA – Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent jep dorëheqjen

UASHINGTON, 17 mars /ATSH/ – Një zyrtar i lartë i shërbimit sekret amerikan, i emëruar nga presidenti Trump njoftoi papritur se po jepte dorëheqjen duke përmendur dyshime në lidhje me luftën e administratës me Iranin.
”Pas shumë reflektimesh, kam vendosur të jap dorëheqjen nga pozicioni im si Drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit (NCC), që hyn në fuqi sot”, shkroi Joe Kent në një postim në X.
”Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk përbënte asnjë kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm amerikan”, shtoi Kent në letrën e dorëheqjes.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Pas valës fillestare të sulmeve kundër Iranit, Trump përmendi një “kërcënim të menjëhershëm” për SHBA-në dhe zyrtarët e administratës thanë se SHBA-të vepruan në përgjigje të sulmeve të mundshme parandaluese nga Irani ndaj forcave në rajon – pretendime që u kundërshtuan në njoftimet e Pentagonit në Capitol Hill, ku zyrtarët e mbrojtjes thanë se Irani nuk po planifikonte të sulmonte nëse nuk do të godiste i pari.
Arsyetimi i Trump për të sulmuar regjimin iranian ka ndryshuar nga mbrojtja e demonstruesve që protestuan në rrugët e Iranit në janar në mbrojtjen e SHBA-së kundër rrezikut të ndërtimit të armëve bërthamore dhe me rreze të gjatë veprimi nga Irani dhe eliminimit të një regjimi që ka mbështetur grupet terroriste që vrasin amerikanë për dekada të tëra.
Ai ka bërë thirrje që populli iranian të marrë kontrollin e vendit të tij edhe pse zyrtarët e lartë thonë se lufta nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit./ a.jor.