SHBA – Dymbëdhjetë shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa afrohet stuhia ‘vdekjeprurëse’ e dimrit

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/- Dymbëdhjetë shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të rënda dimërore në vitet e fundit, raportoi sot media amerikane.
E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të akullta, stuhia do të përhapet në një distancë prej rreth 3,000 kilometrash nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje gjatë fundjavës, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.
Linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake, sipas raportimeve të medias.
Shumë shkolla anuluan sot mësimin – si masë paraprake.
Ekzistojnë gjithashtu frikëra për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të rënies së pemëve ose shkëputjes se linjave të energjisë si rezultat i peshës se akullit.
Paralajmërimet e motit ose këshillat speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul paralajmëroi se i ftohti mund të jetë “absolutisht vdekjeprurës”.
Në disa pjesë të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, temperaturat mund të bien në minus 45 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik.
Presidenti amerikan, Donald Trump e përdori të ftohtin ekstrem për t’u dhënë një tjetër goditje ekspertëve të klimës.
“A mund të shpjegojnë kryengritësit mjedisorë – ÇFARË KA NDODHUR ME NGROHJEN GLOBALE???” shkroi ai në Truth Social.
Ndryshimi i klimës do të thotë që temperaturat po rriten gradualisht në një mesatare afatgjatë.
Sipas ekspertëve, frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve ekstreme të motit po rritet gjithashtu si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke përfshirë stuhitë dhe reshjet e dendura të shiut. //a.i/