SHBA – Obama hedh poshtë akuzat për tradhti të ngritura nga Trump

UASHINGTON, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Zyra e ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama, ka hedhur poshtë akuzat për “tradhti” të ngritura nga pasardhësi i tij, Donald Trump.
Trump dhe anëtarët e administratës së tij republikane e kanë akuzuar Obamën për sjellje kriminale në lidhje me zgjedhjet e vitit 2016.
Një zëdhënës i ish-presidentit demokrat i quajti akuzat “qesharake dhe një përpjekje të dobët për shpërqendrim”.
“Nga respekti për presidencën, zyra jonë normalisht nuk i nderon me një përgjigje absurditetin dhe dezinformimin e vazhdueshëm që del nga kjo Shtëpi e Bardhë”, thuhej në një deklaratë për mediat amerikane.
“Por, këto pretendime janë mjaft të egra për të merituar një të tillë. Këto akuza të çuditshme janë qesharake dhe një përpjekje të dobët për shpërqendrim”, shton deklarata.
Trump dhe aleatët e tij kanë nxjerrë në pah polemikat e vjetra që rrethojnë zgjedhjet e vitit 2016 dhe hetimin shumëvjeçar për ndërhyrjen ruse në votime.
Kritikët e Trump thonë se ai po rikthehet në rrugën e tij për të larguar vëmendjen nga presioni në rritje mbi të për rastin e të dënuarit për krime seksuale, Jeffrey Epstein, vdekja e të cilit në vitin 2019 në një burg të Nju Jorkut shkaktoi spekulime të egra në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Vdekja e Epsteinit është cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje.
Por, shumë të djathtë besojnë se financieri i turpëruar ishte shënjestra e një komploti vrasjeje të hartuar për ta penguar atë të zbulonte emrat e anëtarëve të tjerë të elitës së tij, që potencialisht mund të ishin të përfshirë në krimet e tij./ /os/