SHBA – Rubio: Shpresoj se bisedimet me Iranin do të çojnë drejt paqes

UASHINGTON, 10 prill /ATSH-AFP-ANSA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi sot se shpresonte se bisedimet me Iranin, të planifikuara për të shtunën në Oman, do të çonin drejt paqes.
“Ne shpresojmë se kjo do të çojë drejt paqes”, deklaroi Rubio.
“Ne kemi qenë shumë të qartë se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore dhe unë mendoj se kjo është ajo që çoi në këtë takim (…) dhe ne jemi me shpresë”, tha ai në prani të presidentit Donald Trump në një takim të qeverisë amerikane.
“Bisedimet e drejtpërdrejta me Iranin do të fillojnë të shtunën”, deklaroi më 7 prill presidenti amerikan, Donald Trump.
‘Le të shpresojmë që të kenë sukses”, shtoi ai.
“Jemi në territor të rrezikshëm, është për të mirën e Iranit që bisedimet të përfundojnë në mënyrë pozitive”, shtoi presidenti amerikan nga Zyra Ovale./ /os/