E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Të shtëna me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, plagoset një adoleshent

UASHINGTON, 5 maj /ATSH-DPA/- Një person i armatosur hapi zjarr dje në mbrëmje pranë Shtëpisë së Bardhë, duke plagosur një adoleshent kalimtar, përpara se oficerët e Shërbimit Sekret amerikan të kundërpërgjigjeshin me armë dhe të qëllonin autorin e dyshuar.

Shërbimi Sekret, përgjegjës për mbrojtjen e presidentit të SHBA-së dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, deklaroi në platformën X se incidenti kishte ardhur si pasojë e një përballjeje mes një individi të armatosur dhe policisë së Shërbimit Sekret.

Si i dyshuari ashtu edhe adoleshenti u dërguan në spital. Gjendja e autorit nuk u bë menjëherë e ditur, ndërsa plagët e të riut nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.

Ngjarja ndodhi në jug të Shtëpisë së Bardhë, pranë Monumentit të Uashingtonit, duke shkaktuar një izolim të përkohshëm të kompleksit presidencial, megjithëse ambientet e brendshme nuk u prekën drejtpërdrejt.

Më herët, Shërbimi Sekret njoftoi se ekipet e emergjencës po ndërhynin në jug të Shtëpisë së Bardhë dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangnin zonën.

Gazetarët në Shtëpinë e Bardhë raportuan se gjatë incidentit u shoqëruan në sallën ku zakonisht mbahen konferencat për shtyp.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi aktivitetin me pronarët e bizneseve të vogla gjatë zhvillimit të ngjarjes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›