E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Tensione në rritje në Mineapolis, pasi një qytetar vritet nga një oficer federal

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-DPA/ – Tensionet u rritën më tej në Mineapolis, në shtetin amerikan të Minesotës, pasi një burrë vdiq pasi u qëllua nga një oficer federal në incidentin e dytë të tillë në qytet këtë muaj.

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS), Kristi Noem tha në një konferencë për shtyp se oficerët e DHS të shtunën në mëngjes “po kryenin një operacion të synuar në Mineapolis kundër një të huaji të paligjshëm” të kërkuar për krime, përfshirë sulm të dhunshëm, kur atyre iu afrua një person “me një pistoletë gjysmautomatike 9,0 milimetra”.

Noem tha se njëri nga oficerët qëlloi me armë pasi individi “reagoi me dhunë”.

“Duke pasur frikë për jetën e tij dhe për jetën e kolegëve të tyre oficerë përreth tij, një agjent qëlloi në mënyrë mbrojtëse. Mjekët ishin menjëherë në vendngjarje dhe u përpoqën t’i jepnin ndihmë mjekësore subjektit, por ai u shpall i vdekur në vendngjarje”, tha Noem, ndërsa një foto e armës u shfaq në një ekran pranë saj.

Sekretarja e DHS-së theksoi se burri mbante gjithashtu municion shtesë dhe nuk kishte me vete një dokument identifikimi.

“Kjo duket si një situatë ku një individ mbërriti në vendngjarje për t’u shkaktuar dëme maksimale individëve dhe për të vrarë forcat e rendit”, tha ajo.

Shefi i Policisë së Mineapolis e kundërshtoi këtë rrëfim dhe tha se personi vdiq pak më vonë në një spital.

Shefi i policisë shtoi se individi ishte një 37-vjeçar, shtetas i bardhë mashkull i Mineapolis, i cili me sa duket ishte shtetas amerikan.

”New York Times” raportoi, duke cituar dëshmitarë okularë, se të paktën 300 demonstrues u mblodhën në vendin e incidentit në Mineapolis brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Oficerët thuhet se përdorën gjithashtu gaz lotsjellës dhe sprej me piper.

Pas të shtënave fatale gjatë operacionit federal në Minneapolis, presidenti i SHBA-së Donald Trump sulmoi kryetarin e bashkisë së qytetit dhe guvernatorin e shtetit të Minesotës.

“Kryetari i bashkisë dhe guvernatori po nxisin kryengritje me retorikën e tyre pompoze, të rrezikshme dhe arrogante!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz, një demokrat, i kërkoi Trumpit në një konferencë për shtyp të tërhiqte forcat federale nga shteti.

“Largojeni këtë forcë nga Minesota, ata po mbjellin kaos dhe dhunë”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Mineapolis, Jacob Frey, gjithashtu demokrat, postoi në X.

“Sa njerëz të tjerë duhet të vdesin ose të qëllohen para se kjo të mbarojë? Presidenti Trump, po ju bëj thirrje që ta vini popullin amerikan dhe këtë qytet amerikan në radhë të parë dhe ta largoni ICE-n”, shkroi ai.

Më herët në janar, një oficer nga Zbatimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi një grua 37-vjeçare në makinën e saj në Minneapolis.

Rasti shkaktoi zemërim dhe protesta të mëdha.

Administrata republikane amerikane e përshkroi veprimin si vetëmbrojtje, ndërsa demokratët e opozitës dhe demonstruesit folën për forcë të tepërt dhe mungesë transparence në hetim./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›