SHBA – Trump: Departamenti i Mbrojtjes mund të riemërtohet “Departamenti i Luftës”

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po mendon që emrin e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së ta ndryshojë në “Departamenti i Luftës”.
Presidenti Trump iu përgjigj pyetjeve të mediave në lidhje me ngjarjet aktuale gjatë një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung në Zyrën Ovale.
“Ne e quajmë Departamenti i Mbrojtjes, por ndoshta do ta ndryshojmë emrin e tij. Do t’ju njoftojmë për këtë së shpejti. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore quhej Departamenti i Luftës. Mendoj se pikërisht kështu është. Një ndjenjë brenda meje më thotë se do ta ndryshojmë emrin e këtij departamenti”, tha Trump.
Ai vuri në dukje se ka biseduar me personat përkatës për këtë çështje dhe shtoi se brenda disa javësh mund të njoftojë vendimin nëse do të riemërtohet apo jo Departamenti i Mbrojtjes.
Në deklaratat e mëparshme, Trump theksoi se do të preferonte të përdorte termin “Departamenti i Luftës” në vend të “Departamenti i Mbrojtjes”. /os/