SHBA – Trump: Do të vazhdojmë me tarifat “masive” ndaj Indisë derisa të ndërpresë importet e naftës ruse

UASHINGTON, 20 tetor /ATSH/- Kryeministri indian, Narendra Modi më siguroi se India do të ndalojë së bleri naftë ruse, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump – ndërsa paralajmëroi se Nju Delhi do të vazhdonte të paguante tarifat “masive” nëse nuk do t’i përmbahej kushtit, sipas “Reuters”.
“Unë bisedova me kryeministrin e Indisë, Modi dhe ai tha se nuk do të merret me çështjen e naftës ruse”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”.
Më herët, përfaqësues të lartë të Indisë thane se nuk ishin në dijeni të ndonjë bisede midis Trump dhe Modi për ndërprerjen e importit të naftes ruse.
“Nëse ata dëshirojnë të thonë këtë, atëherë thjesht le të vazhdojnë të paguajnë tarifa masive”, tha Trump në reagimin e tij.
Nafta ruse ka qenë një nga “irrituesit” kryesorë të Trump në bisedimet e zgjatura tregtare me Indinë – gjysma e tarifave të tij prej 50% për mallrat indiane janë në hakmarrje për këto blerje.
Qeveria amerikane tha se të ardhurat nga nafta financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
India është blerësja më e madhe e naftës ruse të transportuar përmes detit, e shitur me zbritje, pasi vendet perëndimore shmangën blerjet dhe vendosën sanksione ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
“Bisedimet tregtare midis Indisë dhe SHBA-së po zhvillohen në një mënyrë “të këndshme”, tha dje një zyrtar i qeverisë indiane, duke refuzuar të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.
“Delegacioni indian – i cili ndodhej në SHBA, javën e kaluar për bisedime është kthyer”, tha zyrtari, duke refuzuar të ndante detaje të mëtejshme.
Trump tha të mërkurën se Modi e kishte siguruar se India do të ndalonte blerjet e naftës ruse.
Ministria e jashtme e Indisë tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë bisede telefonike midis udhëheqësve atë ditë, por tha se shqetësimi kryesor i Nju Delhit ishte “mbrojtja e interesave të konsumatorit indian”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të enjten se India kishte përgjysmuar blerjet e saj të naftës ruse, por burime indiane thanë se nuk ishte raportuar asnjë ulje e menjëhershme.//a.i/