E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: E paralajmërova Netanyahun të mos i prishë bisedimet me Iranin

UASHINGTON, 28 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të mos ndërmarrë asnjë veprim që mund të prishë bisedimet me Iranin – në lidhje me programin e tij bërthamor të diskutueshëm.

Kur u pyet nëse kishte bërë një paralajmërim të tillë gjatë një telefonate javën e kaluar, Trump u përgjigj në Shtëpinë e Bardhë: “Epo, do të doja të isha i sinqertë, po, e bëra.”

Trump tha se e kishte informuar Netanyahun se e konsideronte të papërshtatshme prishjen e bisedimeve me Iranin për momentin, pasi ata ishin shumë afër një zgjidhjeje.

Presidenti amerikan shtoi se kjo mund të ndryshonte në çdo moment, por aktualisht, ai besonte se Irani dëshironte një marrëveshje dhe një marrëveshje e tillë do të shpëtonte shumë jetë.

SHBA-ja kërkon të kufizojnë programin bërthamor të Iranit pasi Uashingtoni është i shqetësuar se Republika Islamike mund të ndërtojë armë bërthamore.

Teherani e ka mohuar këtë duke këmbëngulur në të drejtën e tij për të përdorur energjinë bërthamore për qëllime civile.

Trump deklaroi më tej se po synonte nënshkrimin e një dokumenti shumë të fuqishëm që nuk bazohej në besim.

“Kjo do t’i lejonte SHBA-së të vendoste inspektorë dhe të shkatërronte atë që donte – pa vrarë njerëz”, tha ai.

Më herët, “New York Times” raportoi se SHBA-ja ishte e shqetësuar se Izraeli mund të sulmonte objektet bërthamore të Iranit gjatë negociatave me Teheranin, pa paralajmërim.

Duke cituar zyrtarë, gazeta raportoi se Netanyahu kishte kërcënuar të prishte bisedimet duke sulmuar objektet kryesore të pasurimit të uraniumit, në Iran.

Megjithatë, një zëdhënës i Netanyahut e përshkroi raportin si “lajm të rremë”.

Përveç të paktën një bisede telefonike të tensionuar midis Trump dhe Netanyahut, raporti i medias tregoi se ka pasur edhe takime në ditët e fundit midis zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe zyrtarëve të lartë izraelitë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›