E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: I hapur ndaj ftesës së Erdoganit për bisedime paqeje me Putinin dhe Zelenskyn

UASHINGTON, 2 qershor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump është i hapur ndaj ftesës së homologut të tij turk për të zhvilluar bisedime paqeje trepalëshe në Turqi me udhëheqësit rusë dhe ukrainas, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti ka thënë se është i hapur për këtë, por ai dëshiron që të dy udhëheqësit dhe të dyja palët të ulen së bashku në tryezë”, u tha gazetarëve zëdhënësja Karoline Leavitt kur u pyet në lidhje me propozimin e presidentit turk Recep Tajip Erdogan.

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan propozoi sot një samit midis presidentit rus Vladimir Putin, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, që mund të zhvillohet në Stamboll ose në Ankara.

“Dëshira ime më e madhe (…) është të bashkoj Putinin dhe Zelenskyn në Stamboll ose Ankara dhe ta sjell (Donald) Trumpin në mesin e tyre. Nëse ata bien dakord, unë do t’u bashkohem atyre për ta bërë Stambollin një qendër paqeje”, tha ai pas një takimi të dytë midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll.

Kreu i shtetit e konsideroi mbajtjen e “këtij takimi në vetvete një sukses, pas ngjarjeve të djeshme”, duke iu referuar në veçanti sulmit të guximshëm me dron të Kievit në aeroportet ushtarake, në thellësi të territorit rus.

Ky operacion, i paprecedentë që nga fillimi i konfliktit, shënjestroi katër aeroporte ushtarake ruse dhe goditi disa dhjetëra avionë, përfshirë bombardues strategjikë, deri në Siberi, larg frontit, sipas shërbimeve ukrainase të sigurisë, SBU./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›