SHBA – Trump: Kam autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në Venezuelë

UASHINGTON, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të kryente operacione të fshehta në Venezuelë.
I pyetur nga një gazetar se pse autorizoi CIA-n të hynte në Venezuelë gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “ata i kanë zbrazur burgjet e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kemi shumë drogë që vijnë nga Venezuela”.
Trump refuzoi të përgjigjej kur u pyet ‘’nëse CIA kishte autoritet për të eliminuar presidentin autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro’’, për të cilin SHBA-të thonë se është i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës’’.
“A nuk do të ishte qesharake për mua të përgjigjesha”, tha Trump.
Presidenti vazhdoi duke thënë se administrata e tij po shqyrtonte një goditje ndaj operacioneve kundër drogës në tokë, përveç sulmeve që ushtria amerikane ka kryer ndaj anijeve të dyshuara për transportimin e drogës në Karaibe.
“Shumë nga droga venezueliane hyn përmes detit, kështu që mund ta shihni këtë, por ne do t’i ndalojmë ato edhe nga toka”, theksoi Trump.
Në javët e fundit, ushtria amerikane ka qëlluar vazhdimisht mbi anijet e dyshuara si kontrabandistë droge në Karaibe. Thuhet se më shumë se 20 persona janë vrarë në këto veprime. /os/