E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Shumë pranë marrëveshja për paqen në Gaza

UASHINGTON, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur edhe një herë shpresat për një përparim në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

“Mendoj se mund të kemi një marrëveshje për Gazën”, u tha Trump gazetarëve në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë.

Ai foli për një “qasje të afërt drejt një marrëveshjeje për Gazën” dhe shtoi se ‘’mendoj se është një marrëveshje që do t’i kthejë pengjet dhe një marrëveshje që do t’i japë fund luftës”.

Statusi i saktë i negociatave mbetet i paqartë.

Trump ka shprehur vazhdimisht shpresë në të kaluarën, por një përparim ende nuk është materializuar.

Negociatat për luftën në Gaza kohët e fundit rifituan vrullin në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Trump paraqiti një plan me 21 pika për paqen në Lindjen e Mesme para krerëve të shteteve dhe qeverive arabe.

Sipas medias amerikane, iniciativa përfshin kërkesa për një armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, si dhe një propozim për një qeveri për rajonin bregdetar pa përfshirjen e grupit islamik Hamas.

Shtetet arabe po i bëjnë thirrje Izraelit të përmbahet nga aneksimi i pjesëve të Bregut Perëndimor ose Rripit të Gazës.

Dje, Trump e bëri të qartë se “nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor’’.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›