SHBA – Trump: Zelensky të fillojë të veprojë për marrëveshjen e paqes me Rusinë

UASHINGTON, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka sugjeruar se i takon Ukrainës të bëjë hapin tjetër në lidhje me një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky refuzoi sërish të bënte lëshime territoriale, një kërkesë kyçe e Moskës.
“Rusia dëshiron të bëjë një marrëveshje dhe Zelensky do të duhet të veprojë, përndryshe do të humbasë një mundësi të shkëlqyer”, u tha dje Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarët ukrainas, rusë dhe amerikanë do të takohen për një raund tjetër bisedimesh paqeje në Gjenevë javën e ardhshme.
Negociatat e drejtpërdrejta, të cilat rifilluan këtë vit pas një ndërprerjeje të gjatë, duket se nuk kanë dhënë rezultate të prekshme deri më tani, pasi qëndrimet e të dy palëve mbeten shumë larg njëra-tjetrës.
Duke folur dje në një aktivitet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Zelensky hodhi poshtë sërish kërkesat ruse për të dorëzuar rajonin lindor të Donbasit, siç kërkohet nga Moska, si një kusht për paqen.
Ai tha se afërsisht 200 000 ukrainas, ende jetonin në zona të kontrolluara nga Ukraina të rajonit të pasur me burime, pjesë të mëdha të të cilit janë pushtuar nga Rusia që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
Administrata Trump ka ushtruar presion mbi Kievin për të hequr dorë nga Donbasi, një kërkesë që Zelensky e ka refuzuar vazhdimisht.
“Sot, vetëm Ukraina po mbron Evropën. Sot, vetëm Evropa i jep para Ukrainës dhe ndihmon Ukrainën. Sot, vetëm SHBA-ja mund ta ndalojë presidentin rus, Vladimir Putin. Dhe sot, vetëm Putini dëshiron që kjo luftë të vazhdojë”, Zelensky.
Zelensky theksoi se ishte e rëndësishme që SHBA-ja t’i jepte garanci sigurie Ukrainës për të parandaluar që konflikti të ndizej sërish pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. //a.i/