SHBA – Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë

TEL AVIV, 1 dhjetor /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë “në të ardhmen e afërt”, njoftoi sot zyra e kryeministri, izraelit, sipas Reuters.
Ftesa erdhi pak pasi Trump deklaroi se Izraeli duhet të ruajë një dialog të fortë dhe të sinqertë me Sirinë. Një vizitë e tillë do të ishte e pesta për Netanyahun që prej rikthimit të Trump në detyrë në janar.
Dy liderët kanë kultivuar publikisht një marrëdhënie të ngushtë, ndonëse burime amerikane dhe izraelite thonë se Trump herë pas here ka shprehur frustrim ndaj Netanyahut.
Në komunikatën zyrtare u tha se të dy diskutuan për çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës.
Trump në shtator prezantoi një plan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa armëpushimi me Hamasin është në fuqi që nga tetori.
Trump ka deklaruar më herët se është “shumë e rëndësishme” që Izraeli të mbajë një dialog të qëndrueshëm me Sirinë, duke theksuar se asgjë nuk duhet të pengojë “evoluimin e Sirisë drejt një shteti të begatë”.
Administrata e tij po përpiqet të ndërmjetësojë një pakt mosagresioni mes dy vendeve, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Siria nuk e njeh zyrtarisht Izraelin, i cili ka zgjeruar kontrollin mbi territore siriane që nga dhjetori 2024.
Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit që nga viti 1967 dhe më vonë i ka aneksuar, një hap i njohur nga SHBA-ja , por jo nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Presidenti Trump ndërkohë ka mbështetur liderin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ndërsa Izraeli ka shprehur kundërshtime për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me grupet islamiste. /Ad.Ab./