E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump kërcënon Kinën me tarifa edhe më të larta

UASHINGTON, 7 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat doganore amerikane për produktet kineze, nëse Pekini vazhdon të përgjigjet ndaj ofensivës së tij doganore, duke lënë derën e hapur për negociatat me vendet e tjera të prekura.

“Nëse Kina nuk tërheq rritjen e saj prej 34% [në tarifat doganore për produktet amerikane] (…) deri nesër [e martë] 8 prill, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa doganore shtesë prej 50% ndaj Kinës duke filluar nga 9 prilli”, tha presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social.

Donald Trump e kishte kritikuar më herët Kinën se “nuk e kishte marrë parasysh paralajmërimin [e tij] (…) për të mos iu përgjigjur” ofensivës së saj tregtare.

Që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Donald Trump ka goditur tashmë produktet kineze me një shtesë prej 20%, që pritet të rritet në 54% nga 9 prilli, me +34% të shpallur javën e kaluar.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se nëse Donald Trump do të zbatonte kërcënimin e tij të ri, kjo do ta rriste këtë shtesë në 104%.

Donald Trump tha gjithashtu se “negociatat me vendet e tjera, të cilat gjithashtu kanë kërkuar bisedime, do të fillojnë menjëherë”./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›