SHBA – Trump konfirmon arritjen e marrëveshjes me Iranin

UASHINGTON, 14 qershor /ATSH/- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump konfirmoi sot në mbrëmje se është arritur një marrëveshje me Iranin, pas njoftimit të bërë më herët nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet mes palëve, raportoi BBC.
Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump deklaroi se “marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është përfunduar”, ndërsa shtoi se ka autorizuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane.
Më herët, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif njoftoi se pas negociatave intensive, ishte arritur një marrëveshje paqeje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Sipas tij, të dyja palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Sharif bëri të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes, do të zhvillohet më 19 qershor në Zvicër.
Ai falënderoi gjithashtu Katarin, Arabinë Saudite dhe Turqinë për kontributin e tyre në procesin e ndërmjetësimit.
Kryeministri pakistanez tha se gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime përgatitore mes palëve, të cilat do të shërbejnë si bazë për diskutimet teknike dhe zbatimin e marrëveshjes.
Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me njoftimin e bërë nga Pakistani. //a.i/