E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump mbështet sekretarin e Tregtisë, pavarësisht çështjes Epstein

UASHINGTON 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur mbështetje të plotë për sekretarin  e Tregtisë, Howard Lutnick, emri i të cilit përmendet në dokumentet e lidhura me hetimin për Jeffrey Epstein.

Deklarata u bë sot nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp.

Sipas Leavitt, pavarësisht përfshirjes së emrit të Lutnick në dosjet e hetimit, presidenti Trump vazhdon ta konsiderojë atë një figurë kyçe të administratës së tij.

“Howard Lutnick mbetet një anëtar shumë i rëndësishëm i ekipit të presidentit Trump dhe presidenti e mbështet plotësisht sekretarin e Tregtisë”, u shpreh ajo para gazetarëve.

Deklarata vjen në një moment kur publikimi i dokumenteve të reja që lidhen me çështjen Epstein ka ringjallur debatet politike dhe mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke përfshirë emra të figurave të njohura nga bota e politikës dhe biznesit.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur akuza formale ndaj Lutnick, ndërsa Shtëpia e Bardhë thekson se përmendja e një emri në dokumente nuk përbën domosdoshmërisht provë për shkelje ligjore.

Administrata e presidentit Trump ka përsëritur se do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet përkatëse dhe se çdo rast do të trajtohet në përputhje me ligjin, ndërkohë që mbështetja politike për sekretarin e Tregtisë mbetet e pandryshuar./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›